10.10.2026.

Shqipëri-Gjermani, tri marrëveshje për energjetikën

Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike, me një vlerë totale rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner, pas nënshkrimit të marrëveshjeve bëri të ditur se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë rëndësi strategjike për modernizimin e sistemit energjetik dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Marrëveshja e parë lidhet me eficiencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Përmes saj do të bëhet digjitalizimi i të gjithë sistemit të transmetimit, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik”, u shpreh Karakaçi.

Një tjetër marrëveshje parashikon rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave më të rëndësishme publike energjetike në vend. Sipas ministrit, ky projekt vijon bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë gjermane dhe KfW-në për modernizimin e hidrocentralit.