BE-ja mbështet Shkodrën me Muzeun e Lundrimit dhe rrugën Shirokë - Zogaj
Pas mbështetjes së përgatitjes së dosjes që siguroi shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë e Biosferës nën mbrojtjen e UNESCO-s, Bashkimi Evropian ka theksuar angazhimin e tij ndaj Shqipërisë duke mbështetur edhe dy projekte të tjera, të cilat vënë në pah rëndësinë ekologjike dhe kulturore të liqenit, ndërkohë që nxisin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Një Muze i ri i Lundrimi po ndërtohet në një pikë strategjike, aty ku bashkohen tre lumenj në hyrje të Liqenit të Shkodrës. Në të kaluarën, lundrimi përgjatë lumit Buna lidhte liqenin dhe qytetin me detin, duke e shndërruar këtë zonë, nën hijen e Kalasë së Rozafës, në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të rajonit. Kjo qendër tregtie u zgjerua me ndërtimin e portit të Shkodrës, ndërsa pazari i saj u bë qendra kryesore e tregtisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë rajonin.
Projekti "Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes ndërtimit të Muzeut të ri të Lundrimit në Shkodër", i financuar nga Bashkimi Evropian dhe BERZH-i, synon të rijetësojë këtë zemër historike, shoqërore dhe ekonomike të Shkodrës, duke shfrytëzuar më së miri përparësitë natyrore të zonës dhe duke ndërthurur tri dimensione strategjike: hapësira rekreative për banorët, oferta turistike për vizitorët dhe mundësi zhvillimi ekonomik për bizneset. Muzeu i Lundrimit shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 2,000 metrash katrorë dhe i kushtohet shpalosjes së historisë dhe rëndësisë së kulturës së lundrimit. Pjesa e jashtme përfshin një tarracë të projektuar si teatër veror dhe një instalacion në formën e një varke, nga ku shihen pamje drejt lumit Buna në njërën anë, dhe Kalasë së Rozafës në anën tjetër. "I ndërtuar me dru pishe siberiane, instalacioni në formë varke ndërthur vlerat estetike me ngrohtësinë natyrore të materialit, duke krijuar një harmoni mes ndërtesës dhe peizazhit përreth", - shpjegon Arnis Bitri, inxhinieri i projektit.
Dikur, porti dhe pazari i Shkodrës ishin zemra e begatisë së qytetit, duke nxitur njëherazi zhvillimin e tregtisë dhe të jetës kulturore. Sot, kjo trashëgimi po rizbulohet, po rivlerësohet dhe po shndërrohet në themelin e ripërtëritjes shoqërore, kulturore, turistike dhe ekonomike të qytetit. Muzeu Kombëtar i Lundrimit është konceptuar si institucioni kryesor për ruajtjen dhe interpretimin e kësaj trashëgimie.
Në bregun përballë lumit Buna po zbatohet një tjetër projekt, i cili jo vetëm e bën zonën më tërheqëse për vizitorët, por edhe përmirëson lidhjet rrugore përmes ndërtimit të një rruge të re buzë liqenit, që lidh Shkodrën me Malin e Zi dhe me disa fshatra përgjatë bregut shqiptar të Liqenit të Shkodrës.
Projekti “Përmirësimi i rrugës Shirokë - Zogaj - kufiri i Malit të Zi” nis në fund të shëtitores së Shirokës dhe shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi. Punimet tanimë janë drejt përfundimit. Traseja e re ndjek në përgjithësi itinerarin e rrugës ekzistuese, duke përmirësuar një sërë kthesash të rrezikshme, duke rritur sigurinë rrugore dhe duke e përafruar rrugën me standardet bashkëkohore.
Sipas inxhinierëve të angazhuar në projekt, rruga do të ketë një gjerësi totale prej shtatë metrash, e përbërë nga një karrexhatë gjashtë metra e gjerë me dy korsi qarkullimi prej tre metrash secila, si dhe nga dy kanale kulluese me gjerësi prej 0,5 metrash secili. Projekti parashikon gjithashtu një korsi dymetërshe për këmbësorët dhe çiklistët. Kufiri i shpejtësisë është 50 km/orë, ndërsa në disa segmente, për shkak të terrenit, ulet në 30 km/orë.
Rruga e sapondërtuar përshkon butazi shpatin e kodrës, duke mundësuar pamje të gjera panoramike mbi liqen. Teksa ndjek konturet natyrore të peizazhit, ajo u dhuron udhëtarëve pamje mbresëlënëse, ku ujërat vezulluese të liqenit bashkohen me horizontin, të rrethuara nga gjelbërimi i harlisur dhe kodrat e larta. Kjo rrugë jo vetëm që përmirëson aksesin, por e shndërron vetë udhëtimin në një përvojë, duke ndërthurur infrastrukturën moderne me bukurinë e mjedisit natyror. Së bashku, muzeu dhe rruga e re e rrisin më tej vlerën e Liqenit të Shkodrës dhe të Rezervës së Biosferës nën mbrojtjen e UNESCO-s. Statusi i Rezervës së Biosferës përcakton kritere dhe udhëzime të qarta për menaxhimin e zonës përreth, duke garantuar që burimet natyrore të pellgut ujëmbledhës të shfrytëzohen dhe njëkohësisht të mbrohen. Në këtë mënyrë, muzeu kontribuon në rizbulimin dhe vlerësimin e historisë së rajonit, ndërsa zhvillimi i qëndrueshëm promovohet përmes planifikimit të kujdesshëm dhe vendimmarrjes gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e palëve të interesit, duke siguruar ruajtjen e biodiversitetit.