13.10.2023.

Investimet e IFC-së në Kosovë rrisin qasjen në financim për klimën dhe mbështetjen për gratë ndërmarrëse

Vjenë, Austri, 4 tetor 2023- Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) dhe individët në Kosovë, veçanërisht firmat në pronësi të grave, do të kenë qasje të zgjeruar në financim, duke pasur IFC-në që ka shpallur dhënien e kredisë deri në 5 milionë euro për Raiffeisen Leasing Kosovo LLC. Qëllimi është të nxitet konkurrenca në tregun e financave të NMVM-ve dhe të krijohen vende pune, duke mbështetur gjithashtu tranzicionin e gjelbër të vendit.

Kredia për Raiffeisen Leasing Kosovë— angazhimi i parë i IFC-së me kompaninë më të madhe të lizingut në Kosovë, do t'i mundësojë kompanisë të diversifikojë financimin e saj dhe të rrisë kreditimin për segmente kyçe, duke zgjeruar kreditimin klimatik dhe gjinor në vend. Angazhimi i IFC-së do të nxjerrë në pah po ashtu qëndrueshmërinë e kreditimit për NMVM-të e pambuluara, duke ndihmuar kompaninë të grumbullojë edhe fonde të tjera shtesë.

"Ne në Raiffeisen Leasing Kosova kemi kënaqësinë të nënshkruajmë kontratën e parë të financimit me IFC. Me këtë financim, presim me padurim t'u shtojmë vlerë klientëve tanë të qiradhënies që kërkojnë financim për nevojat e tyre të biznesit. Jemi plotësisht të bindur që kjo përvojë me IFC-në do të hapë rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm dhe më të madh në të ardhmen", tha Gjon Gjonlleshaj, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Leasing në Kosovë.

Pesëdhjetë për qind e huasë do të vijë nga llogaria e vetë IFC-së, ndërsa 50 për qind nga Instrumenti i Përzier Financues nga Dritarja e Sektorit Privat, që ofrohet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Zhvillimit (IDA). Të ardhurat e kredisë do të përdoren për huadhënie të mëtejshme për NMVM-të dhe individët në Kosovë, ku NMVM-të në pronësi të grave do të mbështeten nga Iniciativa e Financimit të Grave Sipërmarrëse (We-Fi) dhe Instrumenti për Mundësi të Grave Sipërmarrëse (WEOF). Në partneritet me Iniciativën për 10.000 Gra nga Goldman Sachs, WEOF është struktura e parë në llojin e saj që i dedikohet zgjerimit të qasjes në kapital për gratë sipërmarrëse në mbarë botën.

Përderisa NMVM-të përbëjnë 99 përqind të bizneseve në Kosovë, hendeku financiar është i konsiderueshëm në rreth 10 përqind të BPV-së. Gratë që kanë në pronësi biznese të vogla janë edhe më të kufizuara në kredi sesa homologët e tyre meshkuj. Shkalla e punësimit për gratë është vetëm 14 për qind e punësimit total në vend, ndërsa gratë sipërmarrëse përbëjnë vetëm 7 për qind të NVM-ve.

Përveç kësaj, duke qenë të cenuar nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, shumë qytete në Kosovë vuajnë nga cilësia e dobët e ajrit, ku sektori i transportit është një nga burimet kryesore të ndotjes. Si reagim, 75 për qind e financimit është alokuar për projekte që lidhen me klimën dhe 25 për qind për NMVM-të në pronësi të grave, një pjesë e të cilit do të përdoret për financimin e projekteve të gjelbra. Kjo do të ndihmojë në rritjen e disponueshmërisë së financimit klimatik për ndërrimin e makinave të vjetra me automjete hibride dhe elektrike, si dhe do të nxisë përdorimin e pajisjeve efikase në lëndë energjie dhe instalimeve të vogla fotovoltaike për të reduktuar konsumin e energjisë nga individët dhe NMVM-të në Kosovë. Është kredia e parë që demonstron qartë përdorimin e fondeve në aspekte gjinore të gjelbërta

"Ndërsa shënojmë 15-vjetorin e iniciativës 10,000 Gra nga Goldman Sachs, mbetemi të përkushtuar ndaj fuqizimit të grave sipërmarrëse për të përshpejtuar rritjen përmes qasjes në kapital," tha Charlotte Keenan, Drejtoreshë Globale e Iniciativës 10,000 Gra nga Goldman Sachs. "Kemi kënaqësinë të mbështesim Raiffeisen Leasing derisa kompania po zgjeron kreditimin për bizneset në pronësi të grave në Kosovë."

IFC do të mbështesë po ashtu Raiffeisen Leasing në përmirësim të praktikave të menaxhimit të rreziqeve mjedisore, sociale e financiare, së bashku me këmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në kreditimin gjinor e klimatik.

"Një nga prioritetet kryesore të IFC-së në Kosovë është përmirësimi i qasjes në kredi për bizneset e vogla, veçanërisht firmat në pronësi të grave, derisa tkurren edhe emisionet," tha Rana Karadsheh, Drejtoreshë Rajonale e IFC-së për Evropën. "Investimi i IFC-së në një kompani lidere të lizingut pritet të ndihmojë në ofrimin e një opsioni fleksibël financimi për NMVM-të e pambuluara, duke nxitur konkurrencën përmes diversifikimit të produkteve dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Kosovës për rritje të qëndrueshme."