27.11.2023.

Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet shoqërinë civile, i dorëzon platformën digjitale të donatorëve rrjetit CiviKos

Misioni i OSBE-së në Kosovë i dorëzoi sot rrjetit të organizatave të shoqërisë civile CiviKos portalin e vet ‘Kosovo Funding Portal’ (Portali për financim në Kosovë) – një burim financimi dhe mundësi trajnimi për organizatat e shoqërisë civile. Dorëzimi i platformës është hap që synon rritjen e pronësisë lokale dhe qëndrueshmërinë afatgjate të mjeteve digjitale në mbështetje të angazhimit civil dhe pjesëmarrjes së publikut. 

Portali është ‘shërbim me një ndalesë’ (one-stop-shop), i pari i këtij lloji në Kosovë, që u mundëson organizatave të shoqërisë civile – pavarësisht madhësisë dhe vendndodhjes së tyre – të kenë qasje në informacione rreth mundësive të ndryshme të financimit dhe zhvillimit profesional të ofruara nga donatorë vendorë dhe ndërkombëtarë. E zhvilluar së bashku nga Misioni i OSBE-së, organizatat e shoqërisë civile dhe kompania e zhvillimit të softuerit 'Appdec', platforma gjithashtu synon të rrisë përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në jetën publike dhe të mbështesë krijimin e sinergjisë ndërmjet tyre.

Që nga lancimi në nëntor 2017, Portali për financim në Kosovë ka publikuar shumë mundësi të financimit, dhe mbetet shumë i rëndësishëm e i përafruar me nevojat e donatorëve dhe organizatave të shoqërisë civile në mbarë Kosovën.

“Misioni ynë është aleat i fortë i organizatave të shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, që punojnë me grupet e cenueshme dhe që ofrojnë shërbime sociale. Bashkëpunimi dhe koordinimi më i fortë ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve publike, komunitetit ndërkombëtar dhe sektorit privat është shumë i nevojshëm, ndërsa zgjidhjet digjitale, siç është Portali për financim në Kosovë, mund të ndihmojnë në lehtësimin e këtij bashkëpunimi e koordinimi”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Tani ka ardhur koha për të vënë theks të ri në pronësinë lokale duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë të kësaj iniciative, prandaj sot ia dorëzuam këtë platformë CiviKos-it, partnerit të besuar të shoqërisë civile. Kam besim të plotë në aftësinë e tyre për ta shfrytëzuar në maksimum potencialin e plotë të këtij mjeti,” shtoi Ambasadori Davenport.

Donika Emini, Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CiviKos, tha, “Portali për financim në Kosovë, të cilin CiviKos me krenari do ta marrë në pronësi, është burim i rëndësishëm për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm qasjen e tyre në informacion në lidhje me financimin në dispozicion dhe mundësitë e rrjetit. Duke ofruar platformë të centralizuar për informacion lidhur me financimin, CiviKos do të zgjerojë shërbimin e informacionit përtej organizatave të saj anëtare. Për më tepër, ai do të avancohet dhe do projektohet për t'iu përshtatur nevojave në terren, me qëllim që të përafrojë organizatat e shoqërisë civile lokale më shumë dhe të promovojë punën e tyre.”

Portali për financim në Kosovë i lejon organizatat e shoqërisë civile dhe donatorët që të regjistrohen në më pak se dy minuta, dhe është i qasshëm këtu:  https://kosovofunding.org/