04.10.2023.

Prishtina fiton një flotë me taksi elektrike me mbështetjen e BERZH-it dhe BE-së

Electric Mobility investon në automjete të gjelbra me kredi nga BERZH dhe grant nga BE.

Kosova, e sidomos kryeqyteti i saj plot jetë, Prishtina, janë ballafaquar për një periudhë të gjatë me nivelet e larta të ndotjes së ajrit, veçanërisht në dimër. Si përgjigje, Kosova po kërkon mënyra për të zbutur emetimet e automjeteve, duke investuar në një flotë të re të transportit publik dhe infrastrukturën për të.

Kësaj përpjekjeje i shtohen edhe disa ndërmarrje të vogla, inovative, të cilat e shohin atë edhe si mundësi biznesi.

Njëra prej tyre është Electric Mobility, që ka vërejtur potencialin e pashfrytëzuar të tregut dhe ka investuar për t'u bërë kompania e parë e taksive në Prishtinë me flotën që përbëhet vetëm nga vetura elektrike.

“Kompania jonë dallohet për përkushtimin e saj ndaj qëndrueshmërisë dhe inovacionit,” thotë Fidan Hallaqi, themelues dhe kryeshef ekzekutiv i kompanisë Electric Mobility. “Jemi krenarë që jemi kompania e parë e taksive elektrike në Kosovë”.

Investimi i kompanisë Electric Mobility u financua me një kredi të siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) përmes Raiffeisen Leasing në Kosovë, institucion financiar partner vendor. Pasi Electric Mobility kishte kryer investimin, ajo mori një grant prej 15 përqind të kthimit të parave nga Bashkimi Evropian (BE).

Me mbështetjen e këshillave të BERZH për bizneset e vogla, kompania ka zhvilluar edhe një platformë për bashkëshfrytëzimin e lëvizshmërisë për të ndihmuar në digjitalizimin e të gjitha proceseve të saj. Platforma i mundëson kompanisë Electric Mobility të mbledhë të dhëna për secilin udhëtim dhe klient, të gjurmojë rezultatet dhe të bëjë ndryshime derisa ec përpara.

Linja kreditore është pjesë e Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve, i cili ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) të kenë qasje në financa dhe të investojnë në fusha si mbrojtja e mjedisit, shëndeti dhe siguria, si dhe cilësia e produkteve dhe shërbimeve. Më shumë se 170 NVM në Kosovë kanë përfituar nga programi deri më sot. Përveç stimujve me grante dhe këshillave të ofruara për NVM-të, programi ofron edhe ndihmë teknike në përgatitjen e projekteve dhe procesin e aplikimit për institucionet financiare partnere. Kjo asistencë teknike financohet edhe nga Bashkimi Evropian.

“Investimi në teknologjitë e gjelbra kursen shpenzimet dhe i bën bizneset më konkurruese në tregjet lokale dhe të BE-së. Gjithashtu, mënyra e qëndrueshme e transportit, siç janë automjetet elektrike, përmirëson cilësinë e ajrit në Prishtinë dhe zvogëlon kërkesën për lëndë djegëse fosile. Ndihma për bizneset lokale që të bëhen më të gjelbra dhe më konkurruese është një nga prioritetet tona kryesore në Kosovë,” shpjegon Sergiy Maslichenko, Shefi i BERZH-it në Kosovë.

“Në kuadër të Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve, Bashkimi Evropian ka ofruar një grant prej 6 milionë euro në kuadër të Instrumentit IPA alokuar vetëm për Kosovën. Ndërsa, në kuadër të IPA-së rajonale përmes instrumentit WBIF, BE-ja ka ofruar 30 milionë euro për Programin për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Programi u ndihmon NVM-ve të Kosovës që të rrisin dhe përmirësojnë proceset dhe cilësinë e tyre. Electric Mobility është një nga 170 NVM-të lokale që kanë zbatuar me sukses projekte investuese dhe kanë përmirësuar konkurrencën e tyre përmes këtij programi”, theksoi Johannes Stenbaek Madsen, Shef i Seksionit të Bashkëpunimit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

 

Më të gjelbra dhe më të rehatshme

Electric Mobility tani operon me një flotë të përbërë tërësisht nga automjete elektrike nën brendin e quajtur ETAXI. Makinat nuk kanë fare emetime dhe janë komode për klientët.

Që kur Electric Mobility filloi punë me makina elektrike vetëm nëntë muaj më parë, kompania ka regjistruar mbi 15,000 përdorues aktivë dhe ka kryer më shumë se 67,000 udhëtime, me një distancë totale të kombinuar prej mbi 605,650 kilometrash.

“Klientët tanë janë kryesisht të rinj që kujdesen për mjedisin dhe BERZH e BE na ka ndihmuar të bëjmë jehonë tek ta, duke digjitalizuar operacionet tona dhe përvojën e klientit duke zhvilluar një aplikacion për rezervimin e taksive dhe gjurmimin në kohë reale,” shpjegon Fidani.

Përtej tregut lokal, Electric Mobility planifikon të krijojë franshiza në vende të tjera, duke filluar me Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm.

Në planet e kompanisë janë edhe mjete të tjera transporti; nisja e shërbimit të parë të mikro-mobilitetit në Prishtinë, rrjet ky për bashkëshfrytëzimin e trotineteve elektrike qëpritet së shpejti. Kjo mënyrë e re e transportit potencialisht përbën edhe ndryshim të menaxhimit të trafikut për kryeqytetin e Kosovës, gjë që duhet të ndihmojë në uljen e trafikut dhe ndotjes së ajrit edhe më shumë.

Rrugët e Prishtinës janë rregullisht të bllokuara në orët e pikut, gjë që rrit emetimet e automjeteve dhe ndotjen e ajrit të ambientit, si dhe e ndërlikon shumë udhëtimin nëpër qytet.

Fidani thotë: “Duhen 15 deri në 20 minuta për të kaluar në qendër të Prishtinës, kështu që e-trotinetet do t'u ofrojnë njerëzve mënyrë më të qëndrueshme dhe më të shpejtë për të udhëtuar, duke shmangur trafikun dhe duke u argëtuar. Plani është që të fillojmë në disa lagje e më pas të zgjerohemi.”

Pasi të jenë hedhur në treg e-trotinetet, banorët do të kenë një alternativë të lirë, të pastër dhe të përshtatshme për të udhëtuar e lëvizur nëpër kryeqytet.