23.08.2023.

Projekti i financuar nga BE-ja shpie në një zbulim të jashtëzakonshëm arkeologjik në Ulpianë

Një ekip i përzier ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas të udhëhequr nga profesori Christophe J. Goddard bëri një zbulim të jashtëzakonshëm në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës: përkushtimin nga Perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe gruaja e tij Theodora, një "urbs Dardaniae", një nga shumë pak përkushtime latine të çiftit perandorak në botën e vonë romake. Zbulimi i këtij mozaiku, si dhe zbulimi i një bazilike imponuese peshkopale në vitin 2022, janë rezultatet konkrete të një projekti të financuar nga BE-ja të titulluar "Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda", i cili pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2024.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, vizitoi dje Parkun Arkeologjik Ulpiana në komunën e Graçanicës ku pati mundësinë të dëshmojë nga afër ndikimin pozitiv të kontributit të BE-së.

"Zbulime të tilla ofrojnë një perspektivë unike për kulturën dhe historinë njerëzore dhe ofrojnë njohuri të gjera për strukturat antike të Parkut Arkeologjik të Ulpianës. Jam shumë krenar që ky projekt i financuar nga BE-ja çoi në identifikimin e një pjese të rezervatit të pasur arkeologjik të Ulpianës. Misioni Arkeologjik në Kosovë do të vazhdojë punën e tij të zellshme për të ndihmuar Kosovën të zbulojë, trajtojë dhe të ruajë trashëgiminë e saj arkeologjike”, tha Szunyog.

Projekti me vlerë 1 milion euro i titulluar "Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda" është lançuar në dhjetor 2021 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2024. Duke u mbështetur në rezultatet e studimeve të mëparshme gjeofizike të financuara nga BE-ja në zonën e madhe të Ulpianës, projekti synon të kontribuojë në kërkimet dhe gërmimet e mëtejshme arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, si dhe në ruajtjen e zbulimeve arkeologjike. Gjithashtu parashehet sigurimi i pajisjeve moderne arkeologjike, të cilat do t'u transferohen institucioneve të Kosovës dhe do t'u shërbejnë arkeologëve kosovarë pas përfundimit të projektit. Projekti zbatohet nga Instituti i Arkeologjisë i École Normale Supérieure Franceze, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Institutin e saj Arkeologjik.

BE-ja ka mbështetur mbrojtjen dhe ruajtjen e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë që nga viti 2000 dhe deri më tani ka investuar më shumë se 14.7 milionë euro në këtë fushë.