07.02.2024.

USAID mbështet një mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë për bizneset kosovare që të financojnë eksportet

USAID pilotoi për herë të parë financimin e eksportit në vitin 2021. Megjithatë, me rritjen e eksporteve të Kosovës si dhe me rritjen e prodhimit, nevoja për të zgjeruar mundësitë, për të zgjeruar mbulimin dhe për të zhvilluar produkte specifike të strukturuara financiare u shtua më tej. 

Në konsultim me bizneset në sektorët siç janë përpunimi i drurit, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit, USAID-i ka konstatuar se 60 për qind e bizneseve të anketuara përdorën burimet e tyre financiare për financimin e kontratave të tyre të eksportit, duke marrë parasysh kushtet e pafavorshme dhe kërkesat e larta për kolateral nga bankat. Si përgjigje, USAID Kosovo Compete Activity ka punuar me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) për të zhvilluar dhe lansuar një mekanizëm të ri të garantimit të kredisë të quajtur “Dritarja e Eksportit”. Nëpërmjet Dritares së Eksportit, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të fokusuara në eksporte mund të përfitojnë nga garancitë e reja të kredisë .

“Ne kemi punuar dhe funksionalizuar...Dritaren e Eksportit. Promovimi i saj, shkëmbimi i njohurive, trajnimi dhe ngritja e kapaciteteve të bankave, si dhe angazhimi i donatorëve të tjerë u mundësua nga USAID Kosovo Compete Activity”, tha Besnik Berisha, Drejtor Menaxhues i FKGK-së.

Ky mekanizëm i ri i garantimit të kredisë synon të krijojë kushte të favorshme përmes qasjes më të lehtë dhe më të shpejtë në financa për bizneset. Dritarja e Eksportit do t’u mundësojë bizneseve të zgjerojnë kapacitetet dhe produktet e tyre gjeneruese, duke rritur më tej konkurrencën e tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.  Ky është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e financimit të orientuar drejt eksportit për sipërmarrësit kosovarë. Përveç kësaj, parashikohet që Dritarja e Eksportit të krijojë së paku 6,000 vende të reja të punës për kosovarët.