12.07.2023.

Vizitat në shtëpi për nënat shtatzëna dhe fëmijët e vegjël u zgjeruan edhe në Prishtinë

Prishtinë, 25 janar 2023 - Sot, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF-in shpallën fillimin e programit Vizita në Shtëpi për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Prishtinë.

Me këtë rast UNICEF-i i dorëzoi Komunës së Prishtinës një automjet për t'i ndihmuar infermierët dhe vizitorët e shtëpive të arrijnë tek familjet. Ky ishte pjesë e një donacioni më të madh prej 10 veturash për 10 komuna (Prishtinë, Podujevë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Kamenicë) për të përmirësuar mbulimin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara përmes programit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha: “Jam shumë i lumtur që Drejtoria e Shëndetësisë do të zbatojë këtë program, i cili shënon një hap tejet të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor për gratë shtatzana dhe foshnjat e fëmijët në qytetin tonë. Nëpërmjet këtij programi, ekipi i infermierëve të kryeqytetit do t’u qëndrojë pranë nënave dhe fëmijëve në këtë fazë thelbësore që ka edhe vështirësitë e veta - sidomos për familjet që jetojnë larg qytetit dhe nuk kanë mundësi të shkojnë rregullisht në qendrat mjekësore familjare. Përfitoj nga rasti që t’u bëj thirrje të gjithë qytetareve të Prishtinës që ta shfrytëzojnë këtë program, i cili kam besim se do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e mirëqenies shëndetësore të qytetarëve tanë. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt të gjithë partnerëve -Qeverisë së Luxemburgut, UNICEF-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre ndaj këtij programi. Le të punojmë së bashku për ta bërë jetën e prishtinalive më të shëndetshme dhe më të lumtur.”

Vizitat në shtëpi është një program i Ministrisë së Shëndetësisë i cili synon të përmirësojë rezultatet e shëndetit të nënës dhe fëmijës duke sjellë shërbimet kryesore më pranë familjeve. I themeluar në vitin 2014 me ndihmën e UNICEF-it dhe mbështetjen bujare të Qeverisë së Luksemburgut, programi tani është plotësisht i integruar në shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë dhe funksionon në të 38 komunat.

 

Gjatë këtij takimi Ministri i Shëndetësisë Vitia shpjegoi rëndësinë e këtij projekti për të cilin institucionet e Kosovës për herë të parë vitin e kaluar në kuadër të grantit specifik për shëndetësinë primare ka buxhetuar 3.4 milionë euro. Nga ky grant, Komuna e Prishtinës do të përfitojë rreth gjysmë milion euro për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Falë Programit të UNICEF-it për Vizitat në Shtëpi, të mbështetur nga Luksemburgu, janë arritur mbi 80,000 fëmijë të moshës 0-3 vjeç dhe 15,000 gra shtatzëna. Janë infermierët e trajnuar që kryejnë vizitat e rregullta në shtëpi për të monitoruar mirëqenien dhe rritjen e fëmijëve dhe japin këshilla për imunizimin, të ushqyerit, gjidhënien dhe prindërimin”, tha i Ngarkuari me Punë i Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Eric Diets.

Shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha:“Parandalimi dhe ndërhyrja e hershme janë investime të mira. Nga një pilot projekt i vogël i prezantuar në vitin 2014, Programi Vizitat në Shtëpi është shndërruar në një program mbarëkosovar dhe do të mbulojë shumë fëmijë me zgjerimin e sotëm në Prishtinë. Për të arritur potencialin e tyre të plotë, fëmijët e vegjël kanë nevojë për shëndet të mirë, ushqim adekuat, prindër të përgjegjshëm dhe një mjedis shtëpiak stimulues dhe të sigurt. Vizitat në shtëpi kanë të bëjnë me këtë: sjellja e kujdesit shëndetësor cilësor për nënën dhe fëmijën më pranë familjeve dhe sigurimi i lidhjeve me shërbime të tjera kritike që mund të kenë nevojë fëmijët.”

Ministria e Shëndetësisë, Qeveria e Luksemburgut dhe UNICEF-i janë të përkushtuar për të vazhduar partneritetin e tyre për të siguruar që sistemi shëndetësor të mund të arrijë çdo fëmijë në Kosovë me shërbime shëndetësore cilësore.