21.05.2025.

BERZH dhe ENEF 2 i japin kredi deri 25 milionë VIVA Fresh-it për blerjen e Spar Albania dhe hyrjen në tregun e Shqipërisë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondi II i Zgjerimit të Ndërmarrjeve (ENEF II), sipas Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) të Bashkimit Evropian, po mbështesin hyrjen e Viva Fresh Kosova në tregun shqiptar të shitjes me pakicë.

BERZH dhe ENEF II po japin një kredi totale deri në 25 milionë euro, për të mbuluar një pjesë të kostos së blerjes së Spar Albania. Banka po kontribuon me 22 milionë euro, ndërsa ENEF II po ofron 3 milionë euro.

Kjo është kredia më e madhe e BERZH-it për një Kompani lokale në Kosovë deri më sot. Pas blerjes së Spar Albania, Viva Fresh Kosova planifikon të zgjerohet – duke hapur dyqane të reja, si dhe duke rinovuar disa nga dyqanet ekzistuese.

Marrëveshja e kredisë u nënshkrua në kuadër të takimit vjetor dhe forumit të biznesit të BERZH-it për vitin 2025 nga Zsuzsanna Hargitai – Drejtore Menaxhuese e Grupit të Financimit dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të BERZH-it, Matteo Colangeli – Drejtor Rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Andreea Moraru – anëtare e Bordit të Drejtorëve të ENEF II dhe Xhevdet Rexhepi – Drejtor Ekzekutiv dhe pronar i Viva Fresh-it.

Zsuzsanna Hargitai shprehet e emocionuar për mbështejen që po i jepet zgjerimit të kësaj Kompanie.

“Jemi të emocionuar që do të vazhdojmë të mbështesim rritjen dhe zgjerimin e Viva Fresh-it dhe financimi për të cilin po biem dakord sot lehtëson hyrjen e Viva Fresh Kosova në tregun shqiptar të shitjes me pakicë. Si lider në tregun modern kosovar, për sa i përket shitjes me pakicë, jemi të bindur se ato do të sjellin vlerë të shtuar të konsiderueshme në peizazhin shqiptar të shitjes me pakicë. Ky Projekt do të kontribuojë më tej në rritjen dhe modernizimin e Spar Albania dhe do të nxisë efikasitet më të madh dhe qëndrueshmëri të përmirësuar, si dhe standarde mjedisore.” – tha ajo.

Xhevdet Rexhepi tha se është mirënjohës për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga BERZH-i dhe ENEF II.

“Jemi mirënjohës për këtë bashkëpunim me BERZH-in dhe ENEF II, si dhe mbështetjen e tyre për zgjerimin dhe integrimin tonë rajonal përmes hyrjes sonë në tregun fqinj shqiptar, nëpërmjet blerjes së Spar Albania. Ne besojmë se tregu shqiptar ofron mundësi shumë të mira për rritjen e shitjes me pakicë moderne dhe synojmë të zgjerojmë rrjetin e dyqaneve Spar Albania në vend – duke ofruar njëkohësisht një përvojë më të arritshme moderne të shitjes me pakicë për komunitetet lokale dhe duke konsoliduar më tej standardet tona të qëndrueshmërisë.” – citohet të ketë thënë Rexhepi.

Andreea Moraru tha se ky është Projekti i parë i bashkëfinancimit për Viva Fresh-in në Shqipëri.

“Sot është një moment i rëndësishëm për Viva Fresh, por edhe për ENEF II, pasi ky përfaqëson Projektin e parë të bashkëfinancimit midis BERZH-it dhe ENEF II, në Shqipëri. ENEF II përqendrohet në ofrimin e strukturave të financimit të përshtatura për Kompanitë me rritje të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me standarde të integruara mjedisore, sociale dhe të qeverisjes. Jemi të kënaqur të mbështesim blerjen e Spar Albania nga Viva Fresh dhe mezi presim të mbështesim angazhimin e saj për masa të përmirësuara të qëndrueshmërisë.” – citohet të ketë thënë Moraru.

Tutje, në komunikatë thuhet se Viva Fresh Kosova është një kliente e hershme e BERZH-it – duke zbatuar Projekte që nga viti 2015. Si rezultat i këtyre Projekteve, Viva Fresh ka qenë në ballë të zgjerimit të shitjes me pakicë moderne të organizuar në Kosovë, ku është lider në treg.

Fondi ENEF II ka investitorët e mëposhtëm: BERZH-in, BE-në (nën Programin WBIF), Cassa Depositi e Prestiti të Italisë, Banca Intesa dhe Kreditanstalt für Wiederaufbau të Gjermanisë. Fondi këshillohet nga BERZH-i dhe përqendrohet në Ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe Kompanitë me kapitalizim të mesëm në Ballkanin Perëndimor. Ai është ndërtuar mbi sukseset e paraardhësit të tij, ENEF, i cili ndihmoi dhjetëra Kompani në rajon të rriteshin dhe të zgjeronin bizneset e tyre. Deri më sot BERZH-i ka investuar më shumë se 2.2 miliardë euro në Shqipëri përmes 162 Projekteve dhe 783 milionë euro në Kosovë përmes 123 Projekteve