“Cyber Balkans”, BE ndihmon Shqipërinë në ndërtimin e rezistencës kibernetike

Ndërsa Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ajo duhet të vazhdojë të forcojë sistemet e saj të sigurisë kibernetike.
Kështu u shpreh André Rizzo, shef i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, gjatë një konference në kuadër të projektit “Cyber Balkans” në Tiranë.
Bashkimi Europian, nëpërmjet projektit “Cyber Balkans”, po punon ngushtë me institucionet shqiptare për të ndërtuar rezistencë kibernetike, për të rritur kapacitetin teknik dhe për të siguruar që asnjë vend në rajon të mos qëndrojë i vetëm përballë kërcënimeve në rritje.
“Ne përballemi me një intensitet të lartë të vazhdueshëm të aktiviteteve kibernetike dashakeqe kundër BE-së, shteteve anëtare dhe partnerëve të saj. Përmirësimi i sigurisë kibernetike është thelbësor për të siguruar rezistencën dhe sigurinë e BE-së, veçanërisht ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor ecin drejt anëtarësimit në BE”, vlerësoi Rizzo.
Sipas tij, “BE-ja aktualisht po mbështet Shqipërinë dhe vendet e rajonit në ndërtimin e kapaciteteve të tyre të sigurisë kibernetike”.
Shqipëria është pjesëmarrëse e rëndësishme në nismën “Cyber Balkans” një përpjekje rajonale për rritjen e aftësive në sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka mikpritur ngjarje të tilla si kampi kibernetik i Ballkanit Perëndimor për aftësimin e profesionistëve të rinj të sigurisë kibernetike. ‘Western Balkan Cyber Camp 2025’ ishte kamp treditor që mblodhi 60 të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të zhvilluar aftësitë e tyre teknike dhe strategjike në fushën e sigurisë kibernetike.
Po ashtu, Shqipëria është e përfshirë aktivisht në projektet e BE që synojnë rritjen e rezistencës ndaj sulmeve kibernetike.
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.