Materialet Arkivore të Digjitalizuara Dorëzohen për të Forcuar Drejtësinë Tranzicionale
Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve
(KKAFZhK) sot dorëzoi zyrtarisht materiale arkivore të digjitalizuara që lidhen me personat
e zhdukur tek institucionet, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e
drejtësisë tranzicionale dhe përpjekjeve për llogaridhënie.
Ceremonia e dorëzimit, e mbajtur në Institutin për Krimet e Kryera (IKKL), mblodhi
përfaqësues nga institucionet, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe UNDP. Shkëlqesia e
tij Jonathan Hargreaves, Ambasador i Britanisë, dhe z. Nuno Queirós, Përfaqësues i
Përhershëm i UNDP-së, mbajtën fjalime duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së provave
dhe forcimit të bashkëpunimit institucional. Folës ishin gjithashtu z. Ahmet Grajqevci,
President i KKAFZhK-së, i cili bëri transferimin formal të materialeve të digjitalizuara; z.
Atdhe Hetemi, Drejtor Ekzekutiv i IKKL-së; z. Bashkim Spahiu, Major në Polici; z. Ilir
Morina, Prokuror Special nga Zyra e Prokurorit; dhe z. Kushtrim Gara nga Komisioni për
Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit. Me mbështetjen bujare të Zyrës për Punë
të Jashtme, të Commonwealth-it dhe Zhvillim (FCDO) përmes Ambasadës Britanike në
Prishtinë, dhe zbatimin nga UNDP, kjo nismë ka forcuar pronësinë institucionale,
llogaridhënien dhe përdorimin operacional të arkivave në hetimet në vazhdim.
Gjatë realizimit të projektit, KKAFZhK ka digjitalizuar me sukses:
• 10,000 faqe dokumentesh
• 18,000 fotografi
• 180 kaseta VHS (1,600 orë incizime)
Këto materiale, tashmë të arkivuara në mënyrë të sigurt, do të përmirësojnë qasjen,
përdorshmërinë dhe ruajtjen afatgjatë të provave kritike që lidhen me personat e zhdukur
dhe krimet e kryera gjatë konfliktit. Nisma ndërtohet mbi përpjekjet e mëhershme që
kanë siguruar më shumë se 64,000 dokumente (mbi 328,000 faqe) në arkivat e Policisë,
duke adresuar nevojën urgjente për digjitalizim sistematik.
Rezultatet e pritshme të dorëzimit përfshijnë:
• Forcimin e pronësisë institucionale dhe përdorimin operacional të arkivave të
digjitalizuara.
• Përmirësimin e qasjes në prova të besueshme që mbështesin hetimet dhe proceset
e drejtësisë tranzicionale.
• Fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë të
përkushtuar ndaj llogaridhënies dhe pajtimit.
Ngjarja përfundoi me një vizitë të udhëhequr në arkivat e IKKL-së dhe një ekspozitë në
ecje, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e kujtesës, mbështetjen e
drejtësisë dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemeve arkivore.