Pogradeci me stacion të ri zjarrfikësish, financimi nga qeveria e Polonisë
Në Pogradec u zhvillua sot ceremonia zyrtare e dorëzimit të Stacionit të ri të Zjarrfikësve, një investim i rëndësishëm në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shqipëri”, i financuar nga qeveria e Polonisë dhe i zbatuar nga UNDP.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, në fjalën e tij theksoi se ky stacion modern rrit ndjeshëm sigurinë e qytetit dhe përgatitjen e strukturave për t’u përballur me çdo situatë emergjente.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Arben Cara, vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve dhe rëndësinë e investimit për standardizimin e shërbimeve zjarrfikëse në vend.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Randi Davis, dhe deputeti i Parlamentit Polak, Bartosz Romowicz, Kryetar i Grupit Parlamentar Poloni–Shqipëri.
Ata theksuan se projekti është pjesë e një programi më të gjerë që ka mbështetur 10 bashki në vend, veçanërisht pas tërmetit të vitit 2019.
Me një buxhet prej mbi 2.7 milionë euro, projekti ka mundësuar ndërtimin e dy stacioneve të reja zjarrfikëse në Fier dhe Pogradec, si dhe modernizimin e pajisjeve, automjeteve dhe trajnimeve për zjarrfikësit në të gjithë vendin.
Punimet në Pogradec nisën në mesin e vitit 2024 dhe përfunduan në nëntor 2025.
Stacioni i ri ofron kushte bashkëkohore, tre poste për automjete zjarrfikëse, ambiente të standardizuara të sigurisë dhe një automjet të ri zjarrfikës, së bashku me pajisje mbrojtëse për efektivët.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave dhe forcimin e sigurisë së komunitetit të Pogradecit.