14.07.2025.

Projekti i financuar nga KE, ripërdorim social i tokave të konfiskuara nga krimi i organizuar në Shqipëri

Në Tiranë u zhvillua Konferenca Përmbyllëse e projektit “Toka Jonë”, një nismë novatore për ripërdorimin social të tokave të konfiskuara nga krimi i organizuar në Shqipëri.

Projekti, i zbatuar nga COSV në partneritet me ANRD dhe CGM dhe në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), u financua nga Komisioni Evropian dhe është zbatuar që nga viti 2022 në zona rurale të Shijakut dhe Tiranës.

Bujqësia sociale, si thelb i projektit, është vënë në shërbim të krijimit të mundësive të reja për punësim dhe vetëpunësim për të rinjtë, gratë, grupet e margjinalizuara dhe familjarët e viktimave të krimit të organizuar, me qëllim frenimin e emigrimit dhe rigjallërimin e zonave rurale.

Andrea Ferrero nga delegacioni i BE në Shqipëri u shpreh se krimi i organizuar ka lënë në hije shumë komunitete, kështu që tokat e konfiskuara mund të kthehen në një mundësi për komunitetet dhe të krijohen përfitime nga këto asete.

“Nga ky projekt fiton shoqëria dhe ka si qëllim të tregojë se si mund të ndikojë në zhvillimin rural kthimi i këtyre tokave në biznese sociale, si mund të krijojë vende pune dhe ekonomi në rritje”, vuri në dukje ai.

Kryeadministratorja shqiptare, Risena Xhaja, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë strategjike që përfaqëson ky projekt për vetë misionin e agjencisë.

“Projekti ‘Toka Jonë’ ka qenë më shumë se një ndërhyrje konkrete – ka qenë një eksperiencë e vlefshme mësimi, bashkëpunimi dhe rritjeje institucionale”, vuri në dukje ajo.

Falë këtij bashkëpunimi, toka të konfiskuara janë kthyer në burime të punësimit, zhvillimit social dhe integrimit për grupe të margjinalizuara në zonat rurale.

Xhaja theksoi gjithashtu se projekti ka ndihmuar në afrimin e AAPSK me standardet më të mira evropiane për qeverisjen e aseteve të konfiskuara, duke forcuar më tej partneritetin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.