Si e transformoi mbështetja e BE-së laboratorin e sigurisë ushqimore në Shqipëri
Garancia që konsumatorët të kenë qasje në ushqim të sigurt, nga ferma në tryezë, është një proces me shumë hapa. Përtej legjislacionit dhe inspektimeve, thelbësore janë kapacitetet njerëzore dhe teknike. Si institucioni kombëtar i referencës në Shqipëri, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kryen punë analitike në fushat e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe shëndetit të bimëve. ISUV është përgjegjës për zbatimin e programeve të mbikëqyrjes, planeve të monitorimit, mbikëqyrjes aktive dhe pasive, si dhe kontrolleve zyrtare të bazuara te rreziku në gjithë zinxhirin agroushqimor.
Ky proces është përballur me sfida të ndryshme. “Nëpërmjet projekteve të mbështetura nga BE-ja, ne arritëm të ndërtojmë dhe forcojmë kapacitetet tona laboratorike dhe teknike, duke i çuar laboratorët tanë në një standard të krahasueshëm me ato në Bashkimin Evropian. Ky investim mundësoi zgjerimin e akreditimit për mbetjet në produktet e listuara për eksport, të tilla si metalet e rënda te peshku dhe produktet e peshkut, përfshirë krustacet dhe ushqimet e detit, si dhe grupe produktesh me origjinë shtazore. Ne jemi gjithashtu të akredituar për të analizuar mikotoksinat në qumësht dhe drithëra, si dhe pesticidet në vezë dhe produkte me origjinë bimore (fruta dhe perime)”, shpjegon Jonida Boçi, Drejtoreshë e Institutit.
Akreditimi kërkohet sipas Rregullores së BE-së 2017/625, e cila është pjesë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë sipas Kapitullit 12. Rregullorja përcakton rregulla për kontrollet zyrtare dhe aktivitetet e tjera zyrtare, me qëllim sigurimin e zbatimit të legjislacionit të BE-së, duke mbuluar të gjithë zinxhirin agroushqimor, përfshirë ushqimin, ushqimin për kafshë, kafshët, bimët dhe produktet. Kjo gjithashtu do të thotë që rezultatet e ISUV-së njihen ndërkombëtarisht, duke çuar në ulje të kostove, pasi çdo analizë e dërguar më parë jashtë vendit kishte shpenzime shtesë. Sipas Boçit, kjo nuk ishte e mundur kur instituti mbështetej vetëm te metodat e skanimit, pasi testet e mbetjeve nuk njiheshin në atë kohë. "Ne jemi aktualisht të certifikuar për të testuar nitritet në produktet me origjinë bimore, pesticidet në fruta dhe perime (që mbulojnë katër klasa sipas standardeve të DG SANTE), si dhe pesticidet në bimët medicinale (duke analizuar 250 parametra)", thotë ajo.
Përmes projektit të mbështetur nga BE-ja “Ristrukturimi dhe forcimi i rrjetit të laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe veterinare në Shqipëri’, u forcuan kapacitetet kombëtare për të garantuar nivele më të larta të sigurisë ushqimore në të gjithë zinxhirin ushqimor.
Projekti synonte të ndihmonte laboratorët që të përdornin më mirë stafin dhe burimet e tyre. Një pjesë e punës përfshinte sqarimin e roleve që mbivendoseshin dhe përafrimin e laboratorëve me metodat e BE-së në lidhje me sigurinë ushqimore, sëmundjet e bimëve dhe kafshëve, si dhe standardet e cilësisë. Përveç kësaj, ISUV-së dhe tre laboratorëve rajonalë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër iu ofruan pajisje laboratorike.
Financimi i BE-së ka forcuar gjithashtu biosigurinë në laboratorët e shëndetit të kafshëve të ISUV-së, dhe instituti tani mund të përdorë teknikat e sekuencimit për të identifikuar burimin e një sëmundjeje. Kjo ndihmon për forcimin e kontrolleve në pikat kufitare ku kafshët e gjalla hyjnë në vend. ISUV bashkëpunon gjithashtu me laboratorët e BE-së dhe me Autoritetin Evropian të Sigurisë Ushqimore, gjë që e ndihmon atë të mbetet i përgatitur për rreziqet.
“Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare dhe garantimi i saj është një betejë e përditshme që nuk mund të bëhet vetëm nga institucionet shtetërore, por kërkon bashkëpunim me operatorët e biznesit, me konsumatorët dhe të gjithë palët e interesuara”, thotë Boçi. “Kërkon mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të mund të reagojmë shpejt. Kjo lejon që masat emergjente të merren në kohën e duhur, duke u mundësuar bizneseve ushqimore të zbusin rreziqet dhe të përmirësojnë zinxhirët e tyre të prodhimit”.
Ajo citon rastet e sëmundjes së gjuhës blu, sëmundjes gungore të lëkurës dhe murtajës së deleve dhe dhive, sëmundje që deri vonë gjendeshin kryesisht në Afrikë. Sot, ato përhapen shumë më shpejt për shkak të rritjes së lëvizshmërisë së njerëzve dhe kafshëve, rritjes së vazhdueshme të tregtisë dhe turizmit, si dhe një klime në ngrohje që favorizon transmetimin e tyre. Në qershor 2025, në laboratorin e Institutit u konfirmuan raste të murtajës së deleve dhe dhive, duke nxitur masa të menjëhershme për menaxhimin e situatës. Laboratorët e aftë për reagim të shpejtë e bëjnë shumë më të lehtë frenimin e shpërthimeve të tilla në kohë. Tani një nismë më gjithëpërfshirëse, EU4FoodSafety, përqendrohet te përgatitja e stabilimenteve të prodhimit të ushqimit për të përmbushur standardet e BE-së, në kontekstin e kapitujve 11 dhe 12 të anëtarësimit në BE, të cilët mbulojnë rregulloret e sigurisë ushqimore dhe ato veterinare.