UNOPS dhe OBP bashkëpunojnë për modernizimin dhe fuqizimin e prokurimit të përqendruar në Shqipëri
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) nënshkruan më 8 shtator 2026 një marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e një projekti gjashtëmujor të asistencës teknike. Ky partneritet pasqyron angazhimin e përbashkët për forcimin e drejtimit strategjik dhe rritjen e efikasitetit operacional të prokurimit publik në Shqipëri.
Ceremonia e nënshkrimit, e zhvilluar te Piramida e Tiranës, shënon një hap të
rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për modernizimin e proceseve të prokurimit publik në vend. Në kuadër të këtij projekti, UNOPS do të ofrojë ekspertizë teknike për të mbështetur OBP-në në rritjen e efikasitetit dhe përafrimin e mëtejshëm të praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, u
shpreh se marrëveshja do të ndihmojë OBP-në të përmirësojë proceset, të forcojë kapacitetet dhe të zgjerojë përdorimin e teknologjisë, përfshirë Inteligjencën Artificiale. “Kjo do të thotë prokurime më të shpejta dhe më transparente, kosto më të ulëta dhe përdorim më të mirë të fondeve publike – duke siguruar që çdo lek i shpenzuar të krijojë më shumë vlerë për qytetarët. Hapi i radhës është integrimi i
Inteligjencës Artificiale në proceset e prokurimit publik, me synimin që kjo të bëhet realitet deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm,” theksoi Ministrja Ibrahimaj.
Jonaid Myzyri, Administrator i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, theksoi
se bashkëpunimi do t’i mundësojë OBP-së të integrojë praktikat e mira
ndërkombëtare në sistemet e saj, të modernizojë proceset dhe të sigurojë që
fondet publike të menaxhohen sipas standardeve më të larta të integritetit,
transparencës dhe llogaridhënies.
“Kjo marrëveshje përfaqëson një moment të veçantë në bashkëpunimin tonë me Operatorin e Blerjeve të Përqendruara,” tha Sabine Kania, Drejtuese e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën. “Duke ndërthurur përvojën globale të
UNOPS në menaxhimin e projekteve dhe prokurimin me vizionin strategjik të
OBP-së, po ndërtojmë një bazë të fortë për një prokurim publik më transparent dhe efikas, që në fund do të sjellë përfitime për qytetarët e Shqipërisë.”
“Prokurimi publik efektiv është thelbësor për institucione të forta dhe për të
siguruar që burimet publike të përkthehen në shërbime cilësore për qytetarët,” tha Ingrid Macdonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. “Përmes këtij partneriteti, UNOPS do të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare për të mbështetur Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e performancës, në përputhje mestandardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt një prokurimi publik më efektiv, transparent dhe të
përgjegjshëm, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve publike më cilësore dhe në
përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin
Evropian.”
Projekti, i cili do të zbatohet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, do të fokusohet në
forcimin e kapaciteteve të stafit të OBP-së dhe përmirësimin e mekanizmave të
brendshëm, me synim rritjen e cilësisë dhe aksesueshmërisë së shërbimeve
publike. Ceremonia u përmbyll me riafirmimin nga të dyja palët të angazhimit për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës përmes modernizimit të proceseve dhe shërbimeve publike.