25.09.2023.

Përfundon me sukses projekti i financuar nga BE-ja në mbështetje të reformës së administratës publike në Kosovë

Finalizohet me sukses projekti “Mbështetje për Kontratën e Reformës Sektoriale për Reformën e Administratës Publike”, i financuar nga BE-ja me buxhet prej 2 milionë eurosh. Duke filluar nga marsi i vitit 2020 dhe i udhëhequr nga një konsorcium i kryesuar nga EURECNA, projekti luajti rol kyç në përmirësimin e administratës publike të Kosovës, duke u fokusuar në llogaridhënien, transparencën dhe efikasitetin.

Arritjet kyçe përfshijnë:

Zbatimi i ligjeve dhe reforma legjislative

Arritja më e dallueshme e projektit ishte mbështetja që ofroi në zbatimin e legjislacionit krucial për Reformën e Administratës Publike (RAP). Këtu përfshihej miratimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë, zhvillimi i Ligjit të ri për Pagat në Sektorin Publik, si dhe zbatimi i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura. Këto reforma kanë hedhur themelet për një administratë publike më llogaridhënëse dhe më efikase si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe ngritja e kapaciteteve

Projekti kontribuoi në forcimin e menaxhimit të burimeve njerëzore duke përmirësuar proceset e rekrutimit dhe duke zbatuar planifikim transparent të personelit dhe vlerësimin e performancës në shërbimin civil. U futën në përdorim procedura të standardizuara të testimit dhe rekrutimit për të garantuar drejtësi dhe transparencë dhe mbi 850 nëpunës civilë përfituan nga programet e trajnimit gjithëpërfshirës

Ofrimi i përmirësuar i shërbimeve dhe transformimi digjital

Projekti pati shumë sukses në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve duke harmonizuar gjithsej 132 ligje të veçanta me Ligjin për Procedurat e Përgjithshme Administrative. Për këtë u krijua një zyrë ndihmë reaguese dhe u pilotua pika e vetme e kontaktit për komunikim efikas. U zhvillua një katalog gjithëpërfshirës i shërbimeve administrative, si dhe u përmirësua cilësi e shërbimit përmes programeve për trajnim të specializuar. U rrit niveli i Portalit Open Data, duke përmirësuar cilësinë e të dhënave dhe transparencën e qeverisjes.

Zhvillimi dhe promovimi i Kornizës Strategjike

Projekti kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e Strategjisë së re të RAP-it (2022-2027) dhe Planit të saj të Veprimit. Ai krijoi edhe një Plan Promovimi të RAP-it për rritjen e vetëdijesimit të publikut për rëndësinë e RAP-it, përmirësimin e përfshirjes sociale, si dhe për angazhimin e shoqërisë civile, bizneseve dhe botës akademike.

 

Ndikimi i qëndrueshëm dhe perspektivat e së ardhmes

Projekti ka rrënjosur profesionalizëm, transparencë dhe efikasitet në administratën publike të Kosovës. Duke i pajisur nëpunësit civilë me shkathtësi jetike, duke optimizuar ofrimin e shërbimeve, si dhe duke promovuar praktika inovative të qeverisjes, ai e ka vendosur Kosovën në rrugën drejt rritjes së vazhdueshme.

Këto arritje ofrojnë themele solide për reformën e vazhdueshme administrative, duke përqafuar modernizimin, integritetin dhe llogaridhënien në qeverisjen e Kosovës.