31.10.2023.

UNDP lanson BOOST II në mbështetje të bizneseve në Kosovë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë lansoi edicionin e dytë të Boost x Kosovo për të mbështetur rimëkëmbjen e gjelbër në sektorin privat. Ky edicion: Sfida e Gjelbër e Kosovës: NextGen vjen si rezultat i suksesit të edicionit të parë, i cili ka qenë me ndikim të thellë, me mbi 90% të të pranishmëve që shprehin një rekomandim të fortë për programin. Ky edicion është i fokusuar në Tranzicionin e Gjelbër dhe Digjital të 30 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), nga të cilat 10 do të marrin grante për miratimin e zgjidhjeve të propozuara.  
Valët e fundit të të nxehtit dhe përmbytjet e shpejta që ndodhën në Kosovë shërbejnë si një ilustrim i qartë i ashpërsisë së sfidave të ndryshimeve klimatike, duke krijuar një gamë të gjerë rreziqesh për bizneset dhe veprimtarinë e tyre të përditshme. Për të ndihmuar në adresimin e këtyre tronditjeve mjedisore dhe ekonomike, kjo sfidë e hapur synon të përgatisë bizneset për t'u përshtatur me ndikimet e ndryshimeve klimatike duke përshpejtuar kalimin drejt praktikave të qëndrueshme të biznesit.
Sfida është e hapur për të gjitha NMVM-të që kërkojnë të forcojnë aftësinë ripërtëritëse të tyre, duke përvetësuar njohuritë dhe financimin e nevojshëm për zgjidhje inovative, të cilat adresojnë krizat mjedisore, ekonomike, sociale dhe shëndetësore. Përqafimi i një strategjie të rimëkëmbjes së gjelbër jo vetëm që ofron potencial për të krijuar mundësi të reja punësimi dhe për të rindërtuar ekonominë e vendit, por gjithashtu hap rrugën për një të ardhme rezistente ndaj klimës, duke forcuar konkurrencën e Kosovës.
 
Programi i përshpejtimit BOOST x Kosova do të përzgjedhë 30 NMVM-të që demonstrojnë potencial të rëndësishëm biznesi për të bërë zhvendosjen drejt qëndrueshmërisë mjedisore si një komponent thelbësor i rimëkëmbjes së gjelbër. Ky program do të fokusohet në zhvillimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit, rritjen e aftësive të menaxhimit të rrezikut dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj fatkeqësive. Nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre, këto ndërmarrje do të çojnë zgjidhjet e tyre inovative në nivelin tjetër dhe do të përforcojnë ndikimin e tyre. NMVM-të e drejtuara nga gratë, të gatshme për të gjeneruar mundësi të konsiderueshme punësimi dhe një të ardhme më të gjelbër, inkurajohen fuqimisht të aplikojnë.
Sfida e Gjelbër e Kosovës është ndër iniciativat e para me fokus të veçantë në fuqizimin e ndërmarrësve të rinj në përpjekjet e tyre, për të kultivuar modele të reja biznesi që i japin përparësi inovacionit, qarkullimit dhe emetimeve zero. Ai synon të bashkojë palët e interesuara institucionale, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës dhe për të forcuar ekosistemin e inovacionit.
Afati i fundit i aplikimit për BOOST ll: Sfida e Gjelbër e Kosovës: NextGen është 31 tetor 2023. Aplikoni këtu!
 
 
BOOST është një program përshpejtimi, i mundësuar nga UNDP për Evropë dhe Azinë Qendrore, duke rritur inovacionin e ndikimit social dhe duke përshpejtuar Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. BOOST x Kosova është kapitulli lokal i programit, i nisur nga UNDP në Kosovë dhe i zbatuar në bashkëpunim me Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK). Edicioni i dytë i tij synon të mbështesë rimëkëmbjen e gjelbër në sektorin privat duke nxitur një mjedis të favorshëm me një qasje të përqendruar te njerëzit.