16.09.2023.

USAID-i ndihmon në avancimin e mbikëqyrjes së sëmundjeve në Kosovë

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 na e përkujtoi fuqishëm nevojën e menjëhershme për forcimin e infrastrukturës së shëndetit publik për të tejkaluar me efikasitet sfidat e paparashikuara shëndetësore. Gjatë tre viteve të fundit, USAID-i, në bashkëpunim me UNICEF-in, e ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës për përmirësimin e mundësisë së reagimit ndaj pandemisë COVID-19. Rishtazi, ky partneritet u forcua më shumë me dorëzimin e tetë njësive bashkëkohore të pajisjeve të reaksionit zinxhir polimerazë (PCR) në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP).

„Mësimet e shumta nga pandemia bënë që të kuptojmë qartë se të gjithë hisedarët – organet qeveritare, donatorët dhe qytetarët – duhet t’i japin përparësi angazhimit të vendosur për zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të sistemeve shëndetësore. Kjo përpjekje kolektive tregon gatishmërinë tonë për t’iu kundërvënë në mënyrë efektive dhe të shpejtë sëmundjeve të reja, duke përfshirë pandemitë e ardhshme të mundshme”, Ken Kollins, ushtruesi i detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it, theksoi gjatë ceremonisë së donacionit.

Pakoja e pajisjeve të fundit, që shfrytëzon fuqinë e teknologjisë PCR në kohë reale, është projektuar me përpikëri për të mundësuar zbulimin e shpejtë të sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes, duke përfshirë COVID-19, gripin, streptokokun A dhe sëmundje të tjera infektive si tuberkulozi. Tetë njësitë PCR do të shpërndahen në mënyrë strategjike në institutin qendror, gjashtë qendra rajonale dhe laboratorin e Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kjo pako e pajisjeve do të luajë rol kryesor për avancimin e mbikëqyrjes, gatishmërisë dhe kontrollit të sëmundjeve dhe vlera e saj arrin investimin prej 365 000 dollarë.

Ky donacion është rezultat i përqendrimit të përpjekjeve për përmirësimin e qasjes në vaksina dhe testim për COVID-19. Gjithashtu, partneriteti ka ndërmarrë masa thelbësore për të forcuar aftësitë e IKSHPK-së në mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe gatishmërinë ndaj epidemisë.