07.10.2026.

EFSE dhe BKT Kosova zgjerojnë mbështetjen për financimin e bujqësisë së qëndrueshme

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) dhe BKT Kosova po avancojnë më tej partneritetin e tyre afatgjatë përmes një iniciative të re të asistencës teknike, e cila synon të fuqizojë financimin e bujqësisë së qëndrueshme në Kosovë.

Përmes këtij projekti, BKT Kosova do të mbështetet në zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të financimit të qëndrueshëm në aktivitetet e saj të rregullta të kreditimit të sektorit bujqësor, si dhe në ngritjen e kapaciteteve të stafit. Në të njëjtën kohë, fermerët do të përfitojnë nga trajnime të specializuara, këshillim profesional dhe mbështetje praktike në terren.

Iniciativa plotëson linjën e financimit prej 20 milionë eurosh që EFSE i ka vënë në dispozicion BKT Kosova në dhjetor 2025, nga e cila 30% është dedikuar për investime në bujqësi të qëndrueshme. Kjo është vazhdimësi e një partneriteti më shumë se dhjetëvjeçar, gjatë të cilit EFSE ka ofruar gjithsej 55 milionë euro financim për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, sektorit të bujqësisë dhe financimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Për të siguruar që këto mjete të shndërrohen në investime konkrete dhe me ndikim afatgjatë, projekti do të ndihmojë BKT Kosova në zhvillimin e mëtejshëm të produkteve financiare të dedikuara për bujqësinë, përfshirjen më të strukturuar të kritereve të qëndrueshmërisë në proceset e kreditimit dhe ngritjen profesionale të stafit që punon me klientët e sektorit bujqësor.

Në këtë mënyrë, synohet që qasja në financim të lidhet më drejtpërdrejt me investimet që ndihmojnë fermerët të modernizojnë aktivitetin e tyre, të rrisin produktivitetin dhe të përdorin burimet në mënyrë më efikase dhe të qëndrueshme.

Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe mbështetja e drejtpërdrejtë e fermerëve. Përmes trajnimeve, këshillimit profesional dhe mentorimit në terren, prodhuesit bujqësorë do të kenë mundësi të njihen me praktika, teknologji dhe investime bashkëkohore që mund të përmirësojnë produktivitetin e fermave të tyre, duke kontribuar njëkohësisht në përdorimin më të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Jacob Ole Nestingen, Menaxher i Mandatit në EFSE Development Facility, u shpreh: “Vetëm financimi nuk mjafton për të përshpejtuar kalimin drejt një bujqësie më të qëndrueshme. Fermerëve u nevojiten gjithashtu njohuri praktike dhe këshillim për të përzgjedhur dhe zbatuar teknologji të reja që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e tyre. Duke kombinuar përvojën e BKT Kosova në financimin e sektorit bujqësor dhe rrjetin e saj të gjerë të fermerëve me asistencën teknike të synuar, synojmë që financimin e dedikuar ta shndërrojmë në përmirësime konkrete në nivel të fermave.”

Suat Bakkal, Drejtor Ekzekutiv i BKT Kosova, theksoi: “Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës dhe një burim i rëndësishëm i të ardhurave për shumë familje dhe biznese. Përmes partneritetit tonë me EFSE, po e fuqizojmë edhe më tej mbështetjen për fermerët, duke kombinuar zgjidhjet financiare të përshtatura me mbështetje praktike që u mundëson atyre të investojnë në një bujqësi më produktive dhe më të qëndrueshme. Kjo iniciativë do të na ndihmojë të avancojmë më tej mënyrën se si i shërbejmë sektorit bujqësor, të krijojmë vlerë afatgjatë për komunitetet rurale dhe të kontribuojmë në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës.”